Nevada ndërpret numërimin e votave deri më 5 nëntor

Shteti federal amerikan Nevada, pa dhënë asnjë arsye, ka bërë të ditur se do ta ndërpresë numërimin e votave për zgjedhjet presidenciale deri më 5 nëntor.

 

Ky shtet, ku gara është shumë e ngushtë ndërmjet presidentit aktual, Donald Trump dhe kandidatit demokrat, Joe Biden, ka njoftuar në Twitter se ende ka për të numëruar votat me postë të pranuara në ditën e zgjedhjeve, votat me postë që do të pranohen gjatë javës së ardhshme dhe votat me kusht, në mënyrë që të kompletohet numërimi.

Nevada është një nga gjashtë shtetet që ende nuk ka shpallur fitues, bashkë me Xhorxhian, Miҫigenin, Karolinën e Veriut, Pensilvaninë dhe Uiskonsinin.

Biden duhet të fitojë të paktën tri nga këto shtete që të fitojë garën presidenciale, ndërkaq Trump duhet të fitojë të paktën katër.

“Është vështirë të vlerësohet se sa fletëvotime janë të papërdorura në Nevada sepse ҫdo votuesi i është dërguar një fletëvotim me postë. Natyrisht, jo të gjithë do të votojnë”, thuhet në komunikatën e postuar në Twitter, nga llogaria e Divizionit të Zgjedhjeve të Sekretarit të Shtetit të Nevadas.

Aty nuk jepen detaje shtesë për këtë vendim.

Fletëvotimet duhet të kenë vulë postare, jo më vonë se 3 nëntor, që të pranohen ligjërisht dhe të numërohen.

Kjo do të thotë se fletëvotimet me postë mund të pranohen edhe më vonë, por duhet të jenë vulosura para kësaj date.

Uebsajti shtetëror tregon se me 87.2 për qind të votave të numëruara, Biden udhëheq me 49.3 %, kundrejt 48.7% sa ka Trump. Dallimi mes dy kandidatëve është nën 8 mijë vota.

Nevada ka qenë gjithmonë në grupin e shteteve kyçe, dhe ka votuar gjithmonë për presidentin fitues, me përjashtim të dy palë zgjedhjeve, që nga viti 1912.

Njëra nga këto raste është me 2016, kur demokratja Hillary Clinton fitoi zgjedhjet në Nevada, por humbi në garën për presidente nga Donald Trump./REL/

Read Previous

Marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, Zaev do të bisedojë sot me Merkelin

Read Next

Zaev: Me miratimin e ribalancit të buxhetit qytetarët u vërtetuan se kanë shtet që kujdeset për ta

Leave a Reply

Your email address will not be published.

%d bloggers like this: